Kurti në Hannover takon Stephan Weil, flasim për energjinë e ripërtëritshme

Gjatë qëndrimit në Hannover të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua sot me kryeministrin e landit të Niedersachsen, Stephan Weil.

Siç njoftojnë nga qeveria, kryeministri Kurti fillimisht e falënderoi atë për ftesën në darkën e djeshme, ku takoi edhe ministrin e Ekonomisë të Gjermanisë, njëherësh zëvendës kancelarin gjerman, Dr.Robert Habeck dhe ministrin e Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef.

 Gjatë bashkëbisedimit, u trajtuan tema si bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor dhe rëndësia e bashkëpunimi rajonal në përgjithësi. Biseduan për energjinë e ripërtëritshme, marrë parasysh potencialin dhe investimet që po bën Kosova këtë sektori dhe përvojën e landit të Niedersachsen në këtë fushë, si dhe për sektorin e teknologjisë dhe industrisë dhe ofertën e vendit tonë për investitorë të huaj.

 “Rëndësi e veçantë iu kushtua dhe mërgatës sonë atje, kontributin e tyre jo vetëm nga ana ekonomike por edhe në jetën shoqërore e kulturore në Gjermani dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave.

 Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua dhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti”, thuhet në komunikatën e qeverisë. /Kosova.info/

Go to TOP