Kurti në diplomimin e 420 studentëve në Prizren: Mandati i ardhshëm do të sjellë transformimin e arsimit të lartë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 420 studentëve në Universitetin “Ukshin Hoti”, në Prizren.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se “sa herë vijmë në Prizren, na kujtohet Lidhja e Prizrenit e 10 qershorit 1878, një nga ngjarjet themeltare të historisë sonë kombëtare. Vetëm pak ditë më parë shënuam 148-vjetorin e saj. E sot jemi sërish në këtë qytet, në diplomimin e 420 studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti”. Teksa kujtojmë edhe 83-vjetorin e lindjes së Prof. Ukshinit”.

Pasi përmendi se nga rreth katër mijë studentë aktivë në Universitetin “Ukshin Hoti”, afërsisht 70% janë vajza e gra, ai foli për rolin e tyre në shtetndërtimin demokratik dhe përparimin shoqëror. “Kur një vajzë hyn në tregun e punës, nuk ndryshon vetëm jeta e saj, ndryshon drejtimi i shoqërisë, përmirësohet e ardhmja e vendit”, shtoi ai.

“Si Qeveri, po i kushtojmë rëndësi të posaçme ndërkombëtarizimit të kapaciteteve akademike. Na gëzon fakti që profesionistë dhe akademikë nga mërgatë jonë shqiptare, po kthehen për ta dhënë përvojën e tyre profesionale në institucionet tona të arsimit të lartë”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Po ashtu, kryeministri tha se mandati i ardhshëm do të jetë i transformimit dhe ristrukturimit të arsimit të lartë.

“Zhvillojeni veten duke besuar, duke guxuar dhe duke punuar në vazhdimësi. Qeveria juaj do të vazhdojë të jetë partnere e juaja, drejt sukseseve të reja dhe aspiratave tuaja”, ishte mesazhi i kryeministrit në detyrë Kurti për të diplomuarit.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

I nderuar rektor i Universitetit “Ukshn Hoti”, profesor Mentor Alishani,

Nikoqir, faleminderit shumë për ftesën që të jemi pjesë e këtij gëzimi të Universitetit tuaj dhe jo vetëm,

Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, dhe Hajrulla Çeku, ministër i Arsimit dhe Shkencës,

I nderuari ambasador i Turqisë në Kosovë, z.Sabri Tunç Angılı,

E nderuara familje e profesor Ukshin Hotit, e dashur Brisilda,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,

Të nderuara profesore e profesorë, studente e studentë,

Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,

Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sa herë vijmë në Prizren, na kujtohet Lidhja e Prizrenit e 10 qershorit 1878, një nga ngjarjet themeltare të historisë sonë kombëtare. Vetëm pak ditë më parë shënuam 148-vjetorin e saj. E sot jemi sërish në këtë qytet, në diplomimin e 420 studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti”. Teksa kujtojmë edhe 83-vjetorin e lindjes së Prof. Ukshinit. Emri që mban universiteti juaj, bartë edhe peshën e historisë, trashëgiminë e çmuar të dijes, shkencës dhe angazhimit kombëtar. Po ashtu, pesë ditë më parë kremtuam dhe 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Këto data na kujtojnë se duke nderuar historinë, ndërtojmë të ardhmen.

Të dashur pjesëmarrës, ngjarje të këtilla si kjo ceremoni sot, na e mbushin zemrën plot dhe na motivojnë për të vazhduar punën tonë. Universiteti “Ukshin Hoti”, me rreth 4 mijë studentë aktivë, prej të cilëve afërsisht 70% janë vajza e gra, na e kujton e dëshmon rolin e tyre të cilat vazhdojnë ta kenë për shtetndërtim demokratik dhe përparimin shoqëror. Kur një vajzë hyn në tregun e punës, nuk ndryshon vetëm jeta e saj, ndryshon drejtimi i shoqërisë, përmirësohet e ardhmja e vendit.

Duke e marrë për shkas këtë interesim kaq të madh të vajzave e grave që studiojnë këtu në Prizren, sot kujtojmë edhe gratë që hodhën themelet e arsimit shqip në Kosovë. Kur flasim për rrënjët tona arsimore, ne kujtojmë me krenari të lartë Prizrenin tonë, vendin ku Marta Mazreku, Tereza Çoba dhe Motrat Mikelangjela, dhanë kontribut të madh për shkollën e parë të vajzave në Prizren. Nderojmë edhe mësuesin e historianin Mati Logoreci nga Shkodra, dhe Lazër Lumezin, të cilët vendosën gurthemelet e para të arsimit shqip në Prizren. Kjo trashëgimi e ndritur na obligon që sot ta ngremë gjithnjë e më lart kulturën e leximit, pasionin për shkencën dhe cilësinë e arsimit.

Universiteti “Ukshin Hoti” ka një rol të veçantë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Si universiteti i vetëm publik që ofron programe studimore edhe në gjuhët e komuniteteve joshumicë, në turqisht e në boshnjakisht, si dhe programe në gjuhën angleze dhe gjermane, përfaqëson padyshim një model të hapur dhe bashkëkohor të arsimit, për të cilën jemi që të gjithë krenar.

Si Qeveri, po i kushtojmë rëndësi të posaçme ndërkombëtarizimit të kapaciteteve akademike. Na gëzon fakti që profesionistë dhe akademikë nga mërgatë jonë shqiptare, po kthehen për ta dhënë përvojën e tyre profesionale në institucionet tona të arsimit të lartë. Përvoja ndërkombëtare merr vlerën e saj më të madhe kur kthehet në zhvillim vendor. Hapësira që ka universiteti “Ukshin Hoti”, në kuadër të kampusit universitar, sikurse këndi austriak, francez e italian, shërbejnë si ura të ndërveprimit dhe të shkëmbimit kulturor. Këto mundësi gjithsesi se duhet te zgjerohen në dobi si të studentëve poashtu edhe të stafit akademik.

Që nga fillimi i qeverisjes sonë kemi investuar në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë. Një shembull i mirë i investimit është Parku i Trajnimit dhe Inovacionit apo ITP, sic njihet ndryshe me akronimin e popullarizuar. Investim në vlerë prej 8 milionë euro, me rreth 40 hektarë hapësira të gjelbërta dhe 50 ndërtesa, për ekosistem të inovacionit. Jemi të lumtur që universiteti e ka Qendrën për Transfer të Dijes dhe Teknologjisë, të vendosur në hapësirat e ITP-së. Kjo kontribuon drejtpërdrejt në bashkëpunimin e universitetit me sektorin privat, zhvillimin shkencor, ekosistemin e inovacionit dhe promovimin e ndërmarrësisë. Të rinjtë tanë duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për t’i zhvilluar njëkohësisht potencialet akademike dhe profesionale.

Unë javën e kaluar mora pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve në universitetin publik “Haxhi Zeka” në Pejë. Aty ndava dy angazhime të rëndësishme për mandatin tonë të  ardhshëm, të cilat dua t’i paraqes edhe këtu para jush sot në Prizren. Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i transformimit dhe ristrukturimit të arsimit të lartë. Universitetet duhet të zhvillojnë profile të qarta akademike, financimi të mbështetet gjithnjë e më shumë në performancë, programet studimore të lidhen ngushtë me prioritetet zhvillimore të vendit dhe nevojat e tregut, ndërkaq diploma të tregoi karrierë në vijim dhe avancim profesional.

Angazhim tjetër me prioritet do të jetë krijimi i mundësive shtesë edhe për profesorët tanë. Përmes ristrukturimit të fondit të shkencës dhe mbështetjes për institutet universitare, do të zgjerojmë mundësitë për angazhim në kërkime shkencore, projekte ndërkombëtare dhe shërbime profesionale, duke e bërë universitetin edhe më konkurrues dhe më tërheqës për kuadrin akademik.

Të dashur prindër dhe të nderuar profesorë,

Sot është një ditë krenarie për ju po aq sa edhe për këta studentët që po diplomohen. Pas çdo studenti a studenteje qëndron mbështetja, besimi dhe përkushtimi i familjeve, si dhe puna e pandalshme e profesorëve për ta ndarë përvojën e tyre akademike, për ta nxitur mendimin kritik dhe për të formësuar profesionistët e së nesërmes. Ky sukses është fryt i një rrugëtimi të përbashkët. Në një anë, prindërit si mbështetësit më të mëdhenj të fëmijëve të tyre, ndërsa profesorët si udhërrëfyesit e tyre akademikë. Në emër të të gjithëve, ju shpreh mirënjohjen e sinqertë për përkushtimin tuaj në formimin e këtij brezi të ri, i cili sot është gati të japë kontributin e vet në shtetin e tyre.

Shumë të dashur studentë, deri sa po hapni kapitullin e ri të jetës suaj, sot ju jeni më të përgatitur për të marrë pjesë në progresin e vendit tuaj. Nga arsimi dhe edukimi, në rritjen e ekonomisë e shpirtin sipërmarrës, te ruajtja dhe promovimi i gjuhës, letërsisë e kulturës, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, e te avancimi dhe transformimi digjital, deri te mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Ju jeni brezi që do t’i pasurojë e do t’i përkthejë këto shkathtësi, në profesionalizëm dhe vizion. Ju do ta zhvilloni edhe më tej Prizrenin, Kosovën dhe shoqërinë tonë në tërësi.

Andaj mbajeni gjithmonë afër zemrës universitetin dhe qytetin që ju rriti. Këtu do ju mbeten rrënjët e formimit tuaj akademik dhe të ëndrrave tuaja. Ju uroj suksese të mëtutjeshme në rrugëtimin tuaj profesional dhe personal. Sot shënoni një arritje të rëndësishme, ndërkaq nesër ju presin horizonte të reja.

Zhvillojeni veten duke besuar, duke guxuar dhe duke punuar në vazhdimësi. Qeveria juaj do të vazhdojë të jetë partnere e juaja, drejt sukseseve të reja dhe aspiratave tuaja.

Urime diplomimin dhe suksese të pafundme! Ju faleminderit. /Kosova.info/

Go to TOP