Kurti merr telefonata urimi, reagime pozitive për Kosovën nga ndërkombëtarët

Kosova dhe Serbia, të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe në anën tjetër Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

E pas arritjes së kësaj marrëveshje reagime të shumta ka pasur si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, ku disa prej tyre po e cilësojnë si fitore për Kosovën e të tjerët janë skeptikë nëse kjo marrëveshje është në favor të Kosovës.
Por reagime të shumta pati edhe nga zyrtar të lartë ndërkombëtarë nga bota si: Miroslav Lajçak, Ned Price, Jeffrey Hovenier, Chris Murphy, Derek Chollet, Jorn Rohde.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka falënderuar Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviq, pas arritjes së marrëeshjes për targat.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak tha se të dy kryenegociatorët, kanë tregur angazhim kontruktiv në Bruksel, shkruan syri.net Kosova.

Po ashtu, shprehu mirënjohje për diplomacia amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në dialog.

“Falënderimet e mia sonte shkojnë në Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviq për angazhimin e tyre konstruktiv sot. Dhe një falënderim të madh për Departamentin amerikan të Shtetit, dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e dialogut”, tha Lajçak.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në lidhje me çështjen e targave ilegale, duke thënë se të dy palët bën një hap gjigant.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë se SHBA-të mirëpresin arritjen e marrëveshjes për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Përgëzojmë arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Price.

Zëdhënësi Price më tej thotë se SHBA mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.


Tutje, sot ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se e vlerësojnë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan Hovenier.


Reagim pati edhe nga senatori amerikan Chris Murphy, shkruan syri.net Kosova.

Ai në një postim në Tëitter shkruan se liderët e Kosovës dhe të Serbisë duhet të bëjnë zgjedhjet e vështira të nevojshme për të arritur një marrëveshje të plotë për njohje reciproke.

“Kjo tingëllon si një marrëveshje e vogël – një marrëveshje për targat e makinave – por në fakt është një çështje shumë emocionale që kërcënoi sigurinë.

Tani liderët serbë dhe kosovarë duhet të bëjnë zgjedhjet e vështira të nevojshme për të arritur një marrëveshje për njohje reciproke”, shkruan Murphy.


Për arritjen e marrëveshjes për targat Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u telefonua edhe nga Derek Chollet.

Derek Chollet, këshilltari special i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes për targa në Bruksel.

Chollet ka thënë se e ka falënderuar Kurtin për angazhimin konstruktiv për shmangien e tensioneve.

“Telefonatë e mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge drejt de-eskalimit të tensioneve dhe përkushtimin që urgjentisht të punohet në normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm”, ka shkruar Chollet.


E lajm të mirë e ka quajtur edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde arritjen marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për çështjen e targave, shkruan syri,net Kosova.

Ai ndër të tjera ka thënë se kjo është një shenjë e mirë se bisedimet do të vazhdojnë për çështjet e pazgjidhura.

“Një lajm i mirë dhe gjithashtu një shenjë e mirë se bisedimet e mëtejshme do të vazhdojnë për çështjet e pazgjidhura”, shkroi ai në Twitter.


Kujtojmë që Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Go to TOP