Kurti: Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se për tri vjet në total janë ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve dhe se buxheti për bujqësi në vitin 2023 arriti vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 100 milionë euro.

Kurti, në një postim në Facebook, thotë se janë shënuar rekorde në punimin e tokës, si edhe rekorde në përkrahjen financiare për fermerë.

“Me qeverinë tonë, fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon. Patëm premtuar që do ta reformojmë e përmirësojmë sektorin e bujqësisë, nëpërmjet eliminimit të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të atëhershëm. Për këto tri vjet në total kemi ndarë mbi 226 milionë euro mbështetje financiare për fermerë përmes subvencioneve dhe granteve. Buxheti për bujqësi në vitin 2023 arriti vlerën më të lartë ndonjëherë, mbi 100 milionë euro, duke tejkaluar kështu edhe premtimin tonë”, shkruan Kurti.

Ai tutje shkruan se për herë të parë subvencionohen nafta dhe plehu bujqësor. Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja. Eksporti i produkteve bujqësore ka shënuar rritje të vazhdueshme. Në vitin 2023 ishte për 29% më i lartë se në vitin paraprak.

“Për sivjet kemi siguruar 26.4 milionë euro për ujitje dhe agroturizëm nga marrëveshjet ndërkombëtare, ndërkohë për tri vjet kemi pyllëzuar mbi 563 ha sipërfaqe të zhveshura të pyjeve dhe mbjellë mbi 1.4 milionë fidane. E për të siguruar meritokracinë që ka munguar në të kaluarën, përveç mirëbesimit në rritje, janë realizuar shumë kontrolle të rregullta. Vetëm në vitin 2023 janë bërë mbi 10 mijë sosh, ku në 7 komuna kontrolla është realizuar deri në 100%”, shkruan Kurti në Facebook.

Kryeministri thotë se ndihet i lumtur e krenarë që kenë mbështetur mbi 30 mijë fermerë meritor çdo vit. /Kosova.info/

Go to TOP