Kurti dhe Bislimi takojnë përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë: Konstituivi i Kuvendit dhe qeverisë pa vonesa, interes i përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kanë zhvilluar takime me deputetët e zgjedhur dhe përfaqësuesit politikë të komuniteteve joshumicë duke vijuar konsultimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të.

Në ditën e dytë të takimeve, ata pritën në bisedime të ndara kryetarët e partive të komuniteteve turke, egjiptiane, boshnjake, rome, gorane dhe ashkalinjëve duke përfshirë Fikrim Damkën, Veton Berishën, Duda Baljen, Albert Kinollin, Rasim Demirin, Adem Hoxhën, Etem Arifin dhe deputetin Artan Asllani.

Kurti theksoi se në katër vitet e fundit, qeveria e tij ka punuar për një Republikë gjithëpërfshirëse, ku çdo komunitet gëzon të drejta të barabarta dhe përfiton nga zhvillimi i vendit. Ai shtoi se përfshirja dhe angazhimi i komuniteteve joshumicë është thelbësor për të çuar përpara këtë vizion.

“Kuvendi dhe qeveria duhet të formohen pa vonesa, sepse ky është interesi i qytetarëve dhe vullneti i tyre i qartë për të vazhduar punët e mira dhe për të nisur projekte të reja,” tha Kurti.

Takimet u karakterizuan nga diskutime të hapura mbi nevojat dhe prioritetet e komuniteteve joshumicë duke konfirmuar angazhimin për një bashkëpunim të ngushtë në mandatin e ri qeverisës. /Kosova.info/


Go to TOP