Kurti: Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja

Kryeministri Albin Kurti ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës, ku ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partia e tij, për diskutim lidhur me çështjen e presidentit.

Kurti e nisi fjalën e tij me afatin kushtetutes që është drejt fundit, duke i përmendur zgjedhjet e reja,.

“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit  të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë.”

Ai tha se Vetëvendosje nuk ka ikur nga përgjegjësia asnjëherë.

“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie ën marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.”

Kurti: LVV nuk e ka përgjegjësinë e plotë për zgjedhjen e presidentit

Në vazhdim të fjalës së tij, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.

“Në terma të përqindjes, LVV i ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100 për qind”, tha Kurti.

Ai shtoi se fakti që një parti ka më pak deputetë, nuk e përjashton nga përgjegjësia në zgjedhjen e presidentit.

Kurti tha se bazuar në peshën politike, si parti fituese, LVV-ja ka ushtruar përgjegjësinë e saj, duke i ftuar në takime krerët opozitarë e duke ofruar propozime.

“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen”, tha ai.

“Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, shtoi Kurti.

Kurti: LDK përbuzi çdo ofertë që ja bëmë 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për siç tha “përbuzje të ofertave” për marrëveshje politike.

Ai këtë e tha në fjalimin që ai po e mban në seancën e Kuvendit të thirrur për të bërë diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë seancë të bojkotuar nga opozita, Kurti tha se partitë opozitare kanë bërë bllokada të njëpasnjëshme institucionale për ta “dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.

“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale… Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike.”, tha ai.

Ai shtoi se në marrëveshje politike duhet pasur parasysh dallimet në peshën elektorale, gjegjësisht votave që ka secila parti.

Më 25 prill, LVV-ja iu ofroi partive opozitare, gjegjësisht PDK-së dhe LDK-së kohë deri të dielën t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Këto parti ndërkohë e kanë akuzuar LVV-në dhe Kurtin se po bëjnë propagandë dhe show edhe në thirrjen e kësaj seance për diskutim.

Go to TOP