Kurti dënon sulmin në Zveçan: Akt terrorist për të minuar stabilitetin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar ashpër sulmin me granatë të kryer më 1 prill 2025 ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan duke e cilësuar atë si një akt terrorist që synon destabilizimin e vendit dhe pengimin e integrimit institucional të qytetarëve.

“Shteti ynë është i përkushtuar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sigurisë publike. Ky akt dhune është një përpjekje për të krijuar tensione dhe për të penguar funksionimin e institucioneve legjitime të Kosovës,” tha Kurti në një deklaratë publike.

Ai theksoi se sulmi është një veprim i organizuar nga struktura kriminale, duke përmendur në veçanti Millan Radoiçiqin, i cili, sipas tij, vazhdon të strehohet dhe të mbështetet nga autoritetet serbe për qëllime destabilizuese.

“Mosdorëzimi i tij para drejtësisë është një sinjal i rrezikshëm që inkurajon grupe kriminale dhe ekstremistë të ndërmarrin akte të dhunshme,” shtoi Kurti.

Pavarësisht sulmit, ai nënvizoi se Posta e Kosovës do të vazhdojë funksionimin e saj, ndërsa institucionet e sigurisë janë angazhuar për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP