Bajrami kërkon ndërhyrje urgjente të Kurtit për zjarrin në deponinë e Sferkës: Po rrezikohet jeta në një pjesë të Kosovës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri në deponinë e Sferkës duke paralajmëruar se bëhet fjalë për një katastrofë ekologjike me pasoja afatgjata.

Sipas Bajramit, informacionet e fundit tregojnë se disa protestues dhe punëtorë që po përpiqen të shuajnë zjarrin janë helmuar, ndërsa masat e ndërmarra deri më tani kanë rezultuar të pamjaftueshme.

Ajo ka kritikuar mungesën e reagimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor duke kërkuar koordinim të menjëhershëm ndërinstitucional.

Bajrami i ka bërë thirrje Kurtit të angazhojë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, të gjitha brigadat e zjarrfikësve dhe Komunën e Pejës për të mobilizuar kapacitetet shtetërore në shuarjen e zjarrit.

Ajo i është drejtuar edhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri duke kërkuar aktivizimin e të gjithë mekanizmave komunalë për ndalimin e katastrofës ekologjike.

Deputetja e LDK-së ka bërë të ditur gjithashtu se ka dorëzuar kallëzim penal te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale duke kërkuar hetimin e neglizhencës institucionale dhe përgjegjësi penale për këtë rast.

“Çdo minutë vonesë e përkeqëson situatën. Zjarri duhet të shuhet, deponia duhet të mbyllet”, ka theksuar Bajrami në reagimin e saj. /Kosova.info/

Go to TOP