Kuçi: Vendoset pllaka përkujtimore në shtëpinë ku u themelua Shtabi Emergjent i Suharekës në vitin 1998

Në Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është vendosur pllaka përkujtimore në shtëpinë e familjes Kuçi në Suharekë, ku më 7 mars 1998 ishte themeluar Shtabi Emergjent i Suharekës për organizim dhe mobilizim.

Lajmin e ka bërë të ditur Blerim Kuçi, kandidat për deputet nga LDK-ja, i cili e ka cilësuar këtë si një ditë me simbolikë të veçantë kombëtare.

Sipas Kuçit, vendimi për themelimin e Shtabit Emergjent ishte marrë nga kryetarët e partive politike, në krye me Ukë Bytyqin, si dhe nga kryetarët e këshillave të sektorëve përkatës dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Suharekës, Halit Berisha. Në krye të këtij shtabi ishte emëruar Blerim Kuçi.

Ai tha se vendosja e pllakës përkujtimore përbën një nder të madh për familjen e tij, por njëkohësisht edhe një kujtesë për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që në kohët më të vështira u vunë në shërbim të çështjes kombëtare dhe mobilizimit për Luftën Çlirimtare.

“Ky është një nder i madh për familjen tonë, por edhe një kujtesë për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin e atyre që në ditët më të vështira u vunë në shërbim të çështjes kombëtare dhe mobilizimit për Luftën Çlirimtare”, ka deklaruar Kuçi.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën e lirisë së Kosovës duke thënë: “Lavdi të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës!”. /Kosova.info/

Go to TOP