Cakolli: Kërkesa për mbylljen e emisioneve është testim i reagimit qytetar ndaj kufizimit të medias
Eugen Cakolli ka reaguar ndaj diskutimeve për mundësinë e mbylljes së emisioneve televizive duke kritikuar procesin e emërimeve në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe duke paralajmëruar për rrezikun e cenimit të lirisë së medias.
Sipas tij duke parë kontekstin e emërimeve, mënyrën e zhvillimit të procesit dhe personat që janë emëruar në KPM, nuk duhet të befasojë asnjë vendimmarrje, qoftë edhe nëse ajo është e kundërligjshme.
“Për nga konteksti i emërimit, mënyra e zhvillimit të gjithë procesit, e mbi të gjitha kush dhe pse është emëru në KPM, nuk duhet me na çuditë asnjë vendimmarrje, sado e kundërligjshme e tyre – përfshirë ‘kërkesën’ për mbyllje të emisioneve”, ka shkruar Cakolli.
Ai vlerësoi se veprime të tilla ngjajnë më shumë me një testim të reagimit të qytetarëve ndaj kufizimeve të mundshme të lirisë së medias.
“Në fakt, kjo ngjan më shumë me një testim të sentimentit dhe reagimit potencial qytetar. Nëse kalon qetë e lehtë, ky do të jetë veç hapi i parë”, theksoi ai.
Cakolli shtoi se përpjekjet për të kufizuar median e lirë dhe fjalën e lirë kanë dështuar edhe në regjime autoritare duke shprehur bindjen se nuk do të kenë sukses as në Kosovë.
“Betejën kundër medias së lirë dhe fjalës së lirë nuk kanë arritë me e fitu as regjimet autoritare. Nuk kanë me e fitu as këta”, përfundoi ai. /Kosova.info/
