Kuçi: Pse Bashkimi Evropian nuk i monitoroi zgjedhjet lokale në Kosovë?
Gurakuç Kuçi, Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin UNI, ka ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi mungesën e monitorimit të zgjedhjeve lokale të tetorit nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Sipas Kuçit, BE-ja në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025 kishte angazhuar një mision të posaçëm për vëzhgimin e procesit elektoral, fushatës, ndërhyrjeve të jashtme dhe propagandës. Raporti përfundimtar i këtij misioni kishte konstatuar ndërhyrje të hapura nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përfshirë përdorimin e presionit ekonomik, mediave të kontrolluara nga Beogradi, ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe kufizimin e qasjes për parti të tjera serbe.
Megjithatë, për zgjedhjet lokale të këtij tetori, BE-ja nuk dërgoi asnjë mision vëzhgimi. Deri më tani, ajo ka dhënë vetëm një deklaratë të përgjithshme për media duke përshëndetur procesin dhe duke kërkuar që kryetarët e rinj të komunave të hyjnë sa më shpejt në detyrë.
“Mbetet e paqartë ky mosinteresim i BE-së për procesin lokal zgjedhor në Kosovë,” theksoi Kuçi duke shtuar se si një organizatë që promovon standardet demokratike, Bashkimi Evropian duhet të tregojë të njëjtin nivel reagimi dhe mbështetjeje edhe ndaj Kosovës – një vend aspirant për anëtarësim në BE. /Kosova.info/
