Kuçi mobilizon përkrahjen në Prizren: Takime me familje dhe bashkëluftëtarë të UÇK-së

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, ka vazhduar aktivitetet e tij elektorale me takime të ndryshme në rajonin e Prizrenit.

Kuçi bëri të ditur se gjatë mbrëmjes ka qëndruar në një pritje të ngrohtë me familjen Berisha, ku, sipas tij, janë zhvilluar biseda të sinqerta për Kosovën, qytetarët dhe të ardhmen e vendit. Ai shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka marrë nga kjo familje ndër vite duke theksuar se besimi i qytetarëve për të mbetet përgjegjësi dhe motivim për angazhim të mëtejshëm.

Në vazhdën e aktiviteteve, Kuçi qëndroi edhe në Arbanë të Prizrenit, ku u takua me bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), konkretisht me pjesëtarë të Brigadës 123 të Suharekës, si dhe me strukturat e nëndegës së LDK-së.

Ai vlerësoi lart kontributin e bashkëluftëtarëve për lirinë e vendit duke theksuar se sakrifica dhe guximi i tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Kuçi theksoi se përkrahja që po merr në këtë rrugëtim elektoral përbën shtysë për të vazhduar me përkushtim duke qenë pranë qytetarëve dhe zërit të tyre. /Kosova.info/


Go to TOP