Kuçi: Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, siguri dhe mbështetje për prodhimin vendor

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuçi, ka nisur fushatën e tij zgjedhore me mesazhin për zhvillim ekonomik, stabilitet dhe përgjegjësi institucionale duke garuar me numrin 47 në zgjedhjet e 7 qershorit.

Përmes një deklarimi publik, Kuçi ka theksuar se rruga politike që ka zgjedhur nuk ndërtohet mbi populizëm dhe zhurmë, por mbi vizion, punë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit.

Ai ka prezantuar prioritetet kryesore të angazhimit të tij politik duke veçuar zhvillimin ekonomik, mbështetjen për sektorin privat, fuqizimin e prodhimit vendor, si dhe investimet në mbrojtje dhe siguri.

“E djathta nuk ndërton mbi përçarje, por me zhvillim, siguri, stabilitet dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë”, ka deklaruar Kuçi.

Kandidatura e tij vjen në kuadër të listës së LDK-së për zgjedhjet parlamentare, ku partia synon të prezantohet me figura dhe programe të fokusuara në ekonomi, siguri dhe integrim institucional. /Kosova.info/


Go to TOP