KSHC aprovoi planin e aktiviteteve për vitin 2025

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), ka mbajtur mbledhjen e 133-të, ku shqyrtoi dhe aprovoi `Planin e Aktiviteteve për vitin 2025″. Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe çështje të rëndësishme që lidhen me proceset e akreditimit dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Bëhet e ditur se një ndër pikat kryesore të mbledhjes ishte miratimi i planit të aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet administratës së AKA-së dhe KSHC-së. Ky plan do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimet strategjike dhe operacionale në proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

“Gjatë mbledhjes, Këshilli gjithashtu trajtoi një sërë kërkesash dhe shqyrtoi ankesat e institucioneve të arsimit të lartë, duke garantuar një qasje transparente dhe objektive në procesin e vendimmarrjes. Në këtë mbledhje u shqyrtuan raportet e ekspertëve për akreditimin institucional si dhe raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi procedurat e pas-akreditimit. Po ashtu, Këshilli vendosi për themelimin e një Nënkomiteti të KSHC-së, i cili ka qenë rekomandim i ekspertëve të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe i cili synon të adresojë sfidat dhe kërkesat me efikasitet të shtuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Kjo mbledhje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të standardeve ndërkombëtare të cilësisë dhe integrimit të tyre në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP