Kryeziu kritikon listat zgjedhore: Kandidatët nuk njihen për angazhim publik, duken si kërkues vendesh pune
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka shprehur zhgënjimin e tij me përbërjen e listave zgjedhore të partive politike për garën në asambletë komunale. Ai tha se, pas shqyrtimit të listave, pothuajse asnjë nga kandidatët nuk është i njohur për një angazhim të mëparshëm në të mirën publike apo për punë me komunitetin.
“Nuk e di nëse ka humbur interesi i partive për të përfshirë njerëz të tillë, apo interesi i vetë qytetarëve për të qenë pjesë e partive dhe garës për asamble komunale,” deklaroi Kryeziu.
Ai kujtoi se jo shumë vite më parë, listat dhe asamblistët njiheshin si figura të respektuara të qytetit, me reputacion edhe jashtë rrethit familjar. Sipas tij, këtë herë listat duken më shumë të mbushura me përkrahës partie që synojnë një vend pune sesa me individë të përkushtuar për komunitetin. /Kosova.info/
