Kryeziu: Arben Gashi, heroi pozitiv i seancës

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar zhvillimet e seancës konstituive të Kuvendit duke vlerësuar deputetin e LDK-së, Arben Gashi, si “heroin pozitiv” të ditës.

Kryeziu tha se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha partive, ndërsa theksoi se Vetëvendosje më në fund propozoi një kandidat që plotësonte kriteret e vendosura nga PDK.

“Pra, nuk vlen pohimi që fajtore për bllokadë është kokëfortësia e Kurtit që kompromisin e kupton si dobësi. Ky pohim doli të jetë thjesht një flluskë sapuni”, shkroi Kryeziu.

Ai kritikoi PDK-në për mungesë lidershipi dhe hipokrizi duke theksuar se kjo parti abstenoi edhe pse kandidati i VV-së, Dimal Basha, i plotësonte kushtet e saj.

“PDK tregoi dobësi, mungesë lidershipi dhe, para syve të popullit, doli të jetë hipokrite”, tha ai.

Në anën tjetër, Kryeziu u shpreh se qëndrimi i LDK-së për të mos votuar pa marrëveshje është absurd, pasi nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e Presidentit apo Kryeministrit, por për një detyrim kushtetues të deputetëve.

Duke përmendur votën pro të Arben Gashit, ai tha se ajo dëshmon se deputetët duhet të udhëhiqen nga ndërgjegjja dhe jo nga mandate të imponuara partiake.

“Vota PËR e deputetit të LDK-së Arben Gashi tregon që, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, deputetët megjithatë nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, pos ndërgjegjes dhe gjykimit të vet. Në zhvillimet e sotshme, Arben Gashi është personazhi i vetëm pozitiv”, përfundoi Kryeziu. /Kosova.info/


Go to TOP