Kryetari i Shoqatës së Mullistëve: Në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë, nuk ka arsye për rritje të çmimeve

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, deklaroi të mërkurën se në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë ndaj dhe nuk ka arsye për shqetësim e as rritje të çmimeve.

Këtë deklaratë ai e bëri në një konferencë për media bashkë me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Zejnullahu tha se si shoqatë janë kundër abuzimit të çmimeve dhe se nuk duhet shfrytëzuar situata aktuale për të abuzuar me çmime.

“Jemi kundër abuzimit të çmimeve, duhet të jemi më vigjilentë dhe të mos e shfrytëzojmë situatën aktuale për t’i rritur çmimet pa nevojë. Jemi në një situatë akute, por mendoj se nuk ka nevojë për shqetësim e as rritje të çmimeve”, deklaroi ai.

Mes tjerash ai u pyet edhe se nga cilat tregje Kosova planifikon të importojë grurë.

Zejnullahu përmendi Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë e Kroacinë si shtete më të afërta nga të cilat Kosova mund të importojë për t’i plotësuar mangësitë.

“Ne si shoqatë nuk presim t’i mbulojmë 70 për qind të nevojave të qytetarëve me grurë. Kosova zakonisht ka plotësuar 50-60 për qind të nevojave të brendshme, ndërsa pjesa tjetër është importuar. Në regjionin tonë duke filluar nga Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe Kroacia, pasi i kemi shtete më të afërta, kemi siguruar mangësitë që kanë qenë të nevojshme për tregun e brendshëm”, shtoi ai.

Go to TOP