Kryeqyteti përmbush një tjetër premtim: Hapet strehimorja e qenve endacak, qytetarët të interesuar për adoptim
Qytetarët e Prishtinës janë duke mirëpritur hapjen e strehimores së re për qentë endacak, një projekt i shumëpritur që përmbush një premtim të udhëheqjes së kryeqytetit. Me një kapacitet për të strehuar 350 qen, kjo strehimore synon të ofrojë zgjidhje për qentë e pastrehë, duke kontribuuar në menaxhimin dhe kujdesin e tyre në kushte të sigurta. Njëkohësisht, qytetarët kanë shprehur interesim të madh për adoptimin e këtyre kafshëve, duke krijuar një mundësi për t’ju dhënë atyre një shtëpi të përhershme.
Strehimorja është ndërtuar me standarde moderne dhe ofron shërbime veterinare, duke siguruar një hapësirë të përshtatshme për qentë endacak dhe përkujdesjen e tyre. Projekti është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të qytetit për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve dhe për të adresuar shqetësimet e qytetarëve mbi sigurinë publike.
Arta P., banore e Prishtinës, në një prononcim për Kosova.info, ka thënë se, ndjehet shumë e lumtur që po realizohet ky projekt.
“Prej vitesh kemi pasur problem me qentë endacak në lagje, dhe kjo strehimore është një zgjidhje e duhur që do të ndihmojë si për sigurinë tonë, ashtu edhe për mirëqenien e qenve”, tha ajo.
Arta thotë se, mezi pres të adoptoj një qen.
Kjo strehimore është një hap i madh përpara për trajtimin e qenve endacak në Prishtinë, tha për Kosova.info, Dukagjin A., aktivist për të drejtat e kafshëve.
“Është një model që duhet të ndiqet edhe nga qytetet e tjera në Kosovë, pasi përmirëson jetën e kafshëve dhe krijon kushte më të sigurta për qytetarët”, tha Dukagjini.
Ai shprehet të jetë shumë i lumtur që ka interesim për adoptim, njëherësh duke vlerësuar edhe subvencionimin prej 50 eurove për çdo qen të adoptuar.
Hapja e strehimores së qenve, për Edona M., punonjëse komunale, është një projekt që e ka pritur me padurim.
Ajo tha se, Komuna e Prishtinës ka qenë e përkushtuar në realizimin e këtij premtimi dhe jam e bindur që kjo do të ndihmojë në uljen e problemeve me qentë e pastrehë.
“Interesimi për adoptim është një lajm i mrekullueshëm”, tha Edona për Kosova.info.
