Zogaj: Prishtina gati të finalizojë strehimoren e qenve endacakë, fillojnë shpejt mbledhjet dhe adaptimet
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, njoftoi për vizitën në qendrën e re të strehimit për qentë endacakë, e cila është afër finalizimit.
Ai deklaroi se pas përfundimit të qendrës, do të nisë mbledhja e qenve endacakë nga qendra e qytetit për t’i strehuar në qendër, ku do t’u ofrohen shërbime mjekësore dhe përkujdesje.
“Pas përfundimit të këtyre proceseve, do të fillojë edhe adaptimi i qenve në familjet e Prishtinës dhe më gjerë”, tha ai.
Zogaj theksoi se ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të madh të qenve endacakë në Prishtinë.
Ndryshe, me këtë projekt, synohet jo vetëm të përmirësohet mirëqenia e qenve endacakë, por edhe të rritet siguria dhe cilësia e jetës në qytet.
Zyrtarët janë optimistë se me mbështetjen e qytetarëve dhe institucioneve përkatëse, projekti do të jetë i suksesshëm dhe do të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë. /Kosova.info/
