Kryeqyteti ndërmerr masa për rregullimin e parkingjeve pa leje
Komuna e Prishtinës ka nisur një aksion të menjëhershëm për rregullimin e parkingjeve private pa leje që po operojnë në mënyrë të jashtëligjshme, sidomos ato që ndikojnë negativisht në qarkullimin rrugor dhe hapësirat publike.
Sipas njoftimit zyrtar, çdo parking privat është i detyruar të aplikojë për leje të përkohshme, në pritje të miratimit të Planit të ri të Mobilitetit, i cili do të përcaktojë standardet dhe lokacionet e pranueshme për parkim në Kryeqytet.
Parkingjet që nuk do të lejohen të operojnë:
Ato që kanë qasje direkte në rrugë kryesore apo udhëkryqe, duke penguar lëvizjen normale të automjeteve.
Ato të ndërtuara në hapësira të gjelbra apo publike, që përbëjnë shkelje të rëndë ndaj mjedisit dhe rregullit urban.
Qëllimi i kësaj mase:
Rritja e rendit dhe sigurisë rrugore
Mbrojtja e hapësirave publike dhe mjedisit urban
Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe të planifikuar të parkimit
Komuna fton të gjithë operatorët e parkingjeve private të bashkëpunojnë, duke aplikuar për lejet përkatëse dhe duke respektuar procedurat në fuqi.
Aplikimi për leje është i domosdoshëm për të shmangur ndëshkimet dhe mbylljen e parkingjeve që operojnë jashtë standardeve të lejuara. /Kosova.info/
