Kryeqyteti: Mostrat e ujit në Pishinën e Gërmisë në analizë, apel për maturi në komunikime publike

Kryeqyteti ka njoftuar opinionin publik se Ndërmarrja Publike Lokale “Sportmarketing” ka ndërmarrë vetiniciativën për të nënshkruar një marrëveshje me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), me qëllim të marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit si dhe monitorimit javor të cilësisë së tij në Pishinën e Gërmisë.

Si ndërmarrje publike, “Sportmarketing” ka shprehur përkushtim të plotë për zbatimin e të gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe institucioneve përgjegjëse duke e konsideruar shëndetin publik si prioritet kryesor.

Megjithatë, Kryeqyteti ka shprehur shqetësimin lidhur me alarmin e panevojshëm të krijuar nga deklaratat publike të parakohshme dhe të pambështetura në rezultate përfundimtare. Sipas vetë IKSHPK-së, mostrat e dyta janë ende në proces të analizës laboratorike, dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër.

“Çdo komunikim publik para përfundimit të këtyre analizave rrezikon të dezinformojë qytetarët dhe të krijojë panik të panevojshëm”, thuhet në njoftim.

Kryeqyteti apelon për maturi dhe përgjegjësi në komunikimet publike duke riafirmuar angazhimin për transparencë të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse. Qytetarët do të informohen pa vonesë sapo të publikohen rezultatet zyrtare. /Kosova.info/


Go to TOP