Kryeprokurori Petrit Kryeziu takon përfaqësuesit e OSBE-së, diskutohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune Dr. Eoin B. Healy, konsulent vlerësues i OSCE Mission in Kosovo, si dhe Arita Gërxhaliu Rama, Zyrtare Kombëtare për Monitorim në Projektin kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë këtij misioni.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me fokus të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies në institucionet e drejtësisë.
Po ashtu, bashkëbiseduesit trajtuan zbatimin e Projektit Rajonal për Monitorimin e Gjykimeve në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndikimin e këtij projekti në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe raportin dhe rekomandimet e hartuara në kuadër të tij.
Në takim u vlerësua rëndësia e monitorimit të proceseve gjyqësore si një mekanizëm që kontribuon në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, avancimin e transparencës dhe identifikimin e praktikave më të mira në trajtimin e rasteve komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Me këtë rast, Kryeprokurori Kryeziu falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë, duke ritheksuar përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe zbatimin e standardeve më të larta profesionale në ushtrimin e funksioneve të saj. /Kosova.info/
