Kriza te “Vita”, Ferma Rudina” ndan qumësht falas për qytetarët: “Lopët tona nuk mbyllen”

Ferma “Rudina” ka njoftuar se po përballet me një situatë të rëndë, pasi nuk ka më mundësi ta dërgojë qumështin për përpunim te kompania Vita, e cila ka ndërprerë përkohësisht pranimin e qumështit.

Sipas fermës, vendimi erdhi pasi janë marrë mostra për analiza lidhur me dyshimet për përmbajtje të qumështit pluhur dhe vajit të palmës në produktet e “Vita”, ndërsa pritja e rezultateve ka bërë që qumështorja të pezullojë pranimin e qumështit nga fermerët.

Ferma “Rudina” thekson se është e bindur se qumështi që furnizon përmban vetëm qumësht të freskët, të prodhuar nga fermat vendore.

Për shkak të mungesës së alternativave për përpunim, ferma ka bërë të ditur se është detyruar të zgjedhë mes derdhjes së qumështit ose shpërndarjes së tij falas për qytetarët, me qëllim mbrojtjen e prodhimit.

Njëkohësisht, ajo u ka bërë thirrje urgjente autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa për rihapjen e fabrikës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, në mënyrë që të shmangen dëmet në sektorin e blegtorisë.

Ferma ka njoftuar se më 5 korrik 2026 do të shpërndajë qumësht falas për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizren, për shkak të tepricës së krijuar në stoqe.

Në fund të njoftimit, Ferma “Rudina” përcjell mesazhin: “Lopët tona nuk mbyllen.” /Kosova.info/


Go to TOP