Kriteret ligjore të subjekteve për aplikim në zgjedhje, KQZ me punëtori
Kjo mesjavë ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me përfaqësuesit e subjekteve politike.
Punëtoria e organizuar nga KQZ-ja u bë pas hapjes së afatit për subjektet politike për të aplikuar për certifikim dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale.
“Në këtë punëtori dyditore të organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përfaqësuesit e subjekteve politike u informuan më shumë për dy temat kryesore që ndërlidhen drejtpërdrejtë me procesin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025”, njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Fillimisht, ata, nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike u njoftuan se afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale është data 13 gusht 2025, gjithashtu, sipas KQZ-së, përfaqësuesit e subjekteve politike u njoftuan edhe për kriteret ligjore që duhet të plotësohen për aplikim nga subjektet politike dhe kandidatët.
Po ashtu, bëhet e ditur se përfaqësuesit e subjekteve politike u informuan edhe për funksionalizimin e platformës elektronike të KQZ-së për aplikim dhe se ky aplikim përfshin dy hapa kryesor.
Si hap i parë, thotë KQZ-ja, është plotësimi online i të dhënave që kërkohen në platformë, e që bëhet nga përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik.
“Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap”, thuhet në njoftim.
Si hap i dytë, sipas KQZ-së është që Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. “Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin”, kanë treguar nga KQZ-ja procedurat deri në certifikim.
Në pjesën e dytë të ditës, punëtoria iu kushtua aspekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin e fushatës zgjedhore.
“Përfaqësuesit e subjekteve politike u njoftuan për obligimet e tyre ligjore që kanë të bëjnë me raportimin financiar të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve dhe për monitorimin nga afër të kësaj fushate nga Zyra”, thuhet në njoftimin e KQZ-së për këtë punëtori. /Kosova.info/
