Kaluan me sukses provimin e Jurisprudencës, certifikohen 76 kandidatë

Në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, u ndanë certifikatat për kandidatët që kanë përfunduar me sukses provimin e Jurisprudencës.

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ndau certifikatat e quajti ngjarjen si konfirmim të përkushtimit institucional për ndërtimin e një sistemi të fortë të drejtësisë.

“Kjo ditë shënon jo vetëm certifikimin e profesionistëve të rinj të jurisprudencës, por edhe konfirmon përkushtimin e palëkundur të institucioneve për ndërtimin e një sistemi drejtësie të fortë, të drejtë dhe të pavarur”, tha ai para të ftuarve në këtë ceremoni.

Sallahu tha se certifikimi i 76 kandidatëve të rinj është vulë zyrtare e përkushtimit të tyre.

“Ky certifikim nuk është thjesht një formalitet, por vulë zyrtare e përkushtimit tuaj të palodhur, orëve të panumërta të studimit dhe e pasionit tuaj për drejtësinë. Jeni ju që do ta mbani në duar të ardhmen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe do të jeni gardianët e së drejtës, zëri i të pafuqishmëve dhe mbrojtësit e parimeve demokratike,” u shpreh zëvendësministri Sallahu.

Ai theksoi se roli i këtyre profesionistëve të rinj do të jetë thelbësor në garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, duke kërkuar prej tyre integritet të lartë moral, paanshmëri dhe guxim në ushtrimin e detyrave të tyre. /Kosova.info/


Go to TOP