Krenari shqiptaro-amerikane: Marko Kepi për patriotizmin dhe udhëheqjen e Dimal Bashës në Parlamentin e Kosovës
Aktivisti shqiptaro-amerikan, Marko Kepi, ka shprehur publikisht krenarinë e tij për mikun dhe ish-shokun e studimeve, Dimal Basha, i cili aktualisht udhëheq Kuvendin e Kosovës.
Në një shkrim të tij nga New Yorku, Kepi ka treguar për rrugëtimin e përbashkët me Bashën gjatë studimeve në John Jay College, ku ishin bashkë-themelues të Klubit Studentor Shqiptaro-Amerikan. Ai kujton aktivitetet dhe lobimet që kanë bërë për kauzën shqiptare duke përfshirë edhe organizimin e ngjarjeve ku morën pjesë politikanë amerikanë dhe përfshirjen e ngushtë me shqiptaro-amerikanin Joe DioGuardi, i cili u nderua me çmim për kontributin e tij për kombin.
“Dimali ka qenë gjithmonë në ballë, ka qenë prej studentëve më të mirë në fakultet, i vetmi nga gjenerata jonë që ka diplomuar me Suma Cum Laude, niveli më i lartë i notave. Ka ndihmuar shumë studentë shqiptarë, ka shërbyer në zyrën e Eliot Engel, por edhe në Gjykatën Federale të SHBA-së si analist”, ka shkruar Kepi.
Ai theksoi se mund të ketë kritika ndaj Bashës, por patriotizmi i tij nuk mund të vihet kurrë në dyshim.
“Ndoshta edhe Dimali, si secili prej nesh, mund të ketë habi e kritika. Por askush nuk mund ta vë në dyshim patriotizmin e tij. Ne jemi krenarë që sot Parlamenti i Kosovës drejtohet nga një shqiptaro-amerikan i provuar”, ka përfunduar Kepi. /Kosova.info/
