Krasniqi: Zgjedhjet janë zgjidhja – sovrani le të flasë sërish
Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar situatën e bllokuar politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duke e cilësuar rezultatin si një “pat” mes kampeve politike që po e mban peng konstituivin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka dalë fituese, nuk ka arritur të sigurojë shumicën në Kuvend, çka ka sjellë si pasojë mungesën e votave për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Në anën tjetër, ai thekson se PDK, LDK dhe AAK nuk kanë dhënë shenja bashkëpunimi për të krijuar një shumicë alternative apo për të mbështetur kandidatin e propozuar nga LVV.
“Në këto rrethana, zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë,” shkruan Krasniqi duke sugjeruar se një marrëveshje për konstituiv formal të legjislaturës së re, e cila më pas do të vetëshpërndahej, do të hapte rrugë për zgjedhje të reja.
Ai shton se është sovrani – populli – ai që duhet të flasë sërish, të identifikojë fajtorin për këtë bllokadë politike dhe ta ndëshkojë me votë. “Le të prodhojë një rezultat të ri që eviton bllokadat si kjo,” përfundon ai. /Kosova.info/
