Krasniqi: Vjosa Osmani po punon hapur për LVV-në për mandatin e dytë presidencial
Profesori dhe analisti politik, Milazim Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj angazhimit të presidentes Vjosa Osmani në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit duke e akuzuar atë se po ndihmon haptazi dhe pa asnjë hezitim Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Krasniqit, Osmani është në kërkim të një mandati të dytë presidencial dhe po investohet politikisht në mbështetje të LVV-së, forca që, siç thotë ai, e ka zgjedhur dhe do të ishte e vetmja që mund ta rizgjidhte presidente. Ai thekson se vota për LVV-në në këto zgjedhje de facto është votë për Vjosa Osmanin, madje me shumë gjasë edhe në një konfigurim pa Albin Kurtin si kryeministër.
Krasniqi shkon më tej duke thënë se Osmani mund të shfaqet si “baba i ri” brenda bllokut të Vetëvendosjes pas zgjedhjeve duke marrë rol më të fuqishëm në strukturën dhe drejtimin e kampit politik të Kurtit.
Deklarata e tij ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ndërsa pritet që retorika politike të ashpërsohet edhe më shumë me afrimin e ditës së votimit. /Kosova.info/
