Krasniqi: Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe, humbje për Kosovën dhe alibi për Beogradin

Gazetari Besnik Krasniqi thekson se vendimi i KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe sjell vetëm pasoja negative për Kosovën. Sipas tij, kjo qasje dëmton imazhin ndërkombëtar duke u reflektuar me pikë negative në raporte kredibile dhe duke i dhënë alibi Serbisë për të reaguar ndaj serbëve të Kosovës.

Ai shton se vendimi nuk e arrin qëllimin: Lista Serbe, me shumë gjasa, do të certifikohet më pas nga PZAP ose Gjykata Supreme duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Për më tepër, kjo situatë e vendos Listën Serbe në pozicion viktimë para elektoratit të saj duke mobilizuar votuesit dhe potencialisht rikthyer votat që komuniteti serb mund t’i kishte humbur në zgjedhjet e fundit.

Krasniqi vlerëson se vendimet e tilla, më shumë se sa të dobishme, mund t’i japin përfitime elektorale Listës Serbe dhe të minojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP