Krasniqi: Sa më parë të largohen masat ndëshkuese të BE-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me përfaqësuesit e 27-të vendeve anëtare të BE-së, pjesë e grupit punues të Këshillit të BE-së, COWEB.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se në takim ka shprehur qëndrimin e PDK-së në lidhje me temat të cilat i përkasin raportit të Kosovës me BE-në.

“Bashkë diskutuam edhe për zhvillimet aktuale politike në vend, respektivisht dialogun, zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës dhe nevojën që sa më parë të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj shtetit tonë.

Edhe në këtë takim, ritheksova se vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një shumice qeverisëse që udhëhiqet nga PDK, mund të krijoj kushtet për rrugëtimin e sigurt të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi. /Kosova.info/

Go to TOP