Krasniqi: Propozimi i Glauk Konjufcës është lëvizje për fushatë, jo për krijimin e qeverisë

Analistja Naza Krasniqi ka komentuar propozimin e Vetëvendosjes për Glauk Konjufcën si kandidat për Kryeministër duke e cilësuar atë si një veprim të orientuar kryesisht për fushatë politike dhe jo për krijimin e një qeverie të re.

Sipas Krasniqit, 61 vota që kërkohen për shumicën nuk ekzistojnë, dhe nuk ka pasur asnjë marrëveshje politike për bashkëqeverisje. Ajo citon Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, i cili detyron Presidenten që të propozojë kandidatin vetëm në konsultim me partinë ose koalicionin që ka shumicën në Kuvend, dhe nëse as kandidati i dytë nuk merr shumicën, të shpallen zgjedhjet.

“Çdo propozim pa shumicë është shkelje e frymës kushtetuese dhe humbje kohe për qytetarët,” thekson Krasniqi duke shtuar se Vetëvendosje përdor këtë strategji për të paraqitur veten si viktimë politike dhe për të ruajtur narrativën e “bllokadës” për të justifikuar zgjedhjet.

Analistja nënvizon se zvarritja e procesit ka vetëm një qëllim: të fitohet më shumë pushtet, jo të krijohet zgjidhje për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP