Krasniqi: Pezullimi i dialogut strategjik sjell tensione politike dhe “kukamat” në Prishtinë

Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar pezullimin nga SHBA i Dialogut Strategjik me Kosovën duke e lidhur situatën me skenarët e vitit 2020 ndaj Qeverisë Kurti. Ai rikujtoi se atëherë disa projekte të MCC-së u pezulluan, senatorë amerikanë kërcënuan me tërheqjen e trupave ushtarake, ndërsa diplomati Grenell takonte opozitën për të rrëzuar qeverinë, që më pas u realizua përkohësisht.

Sipas Krasniqit, edhe tani, pas njoftimit të SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik, ka “vluar kukamat” në Prishtinë. Ai përmend vizitën në Ambasadën Amerikane të Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, të cilët theksuan nevojën për bashkim të forcave politike dhe reflektim urgjent për situatën.

Krasniqi vë në dukje se Qeveria e re mund të formohet edhe pa Vetëvendosjen, por pa këtë parti nuk mund të zgjidhet presidenti në muajt e ardhshëm, çka rrezikon zgjedhje të parakohshme dhe efekte të panjohura në votë. Ai paralajmëron se tensionet politike dhe ndërhyrjet e jashtme mund të krijojnë pasoja të rëndësishme për proceset demokratike në vend. /Kosova.info/


Go to TOP