Krasniqi: PDK nis kapitull të ri me Bedri Hamzën
Pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili deri tani e kishte udhëhequr partinë, tha se PDK-ja “nisi kapitullin e saj të ri”.
Ai kujtoi se në të njëjtën sallë ku, para 1600 ditësh, mori besimin për ta udhëhequr partinë, sot ia dorëzoi drejtimin kryetarit të ri.
Krasniqi shtoi se këtë e bëri “jo si hap prapa, por si hap përpara për PDK-në”, duke theksuar se partia sot ka zgjedhur një udhëheqës “me integritet, dije, përkushtim dhe rezultate.
“Një njeri që e njeh shtetin, e njeh ekonominë, e njeh përgjegjësinë. Një profesionist që e ka dëshmuar veten në çdo detyrë dhe që sot merr përsipër drejtimin e familjes sonë politike”, shkroi Krasniqi.
Ai u shpreh se Bedri Hamza do të ketë mbështetjen e tij të plotë dhe duhet ta ketë edhe të gjithë të tjerët, sepse “prej sot, ai është përfaqësimi, uniteti dhe forca e PDK-së”.
“Vazhdon rrugëtimi ynë i përbashkët për ta çuar Kosovën drejt zhvillimit, dinjitetit dhe qeverisjes së mirë. Urime Kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës,” shkroi Krasniqi. /Kosova.info/
