Krasniqi: Kurti nuk po kërkon partnerë për bashkëqeverisje, por pushtet absolut

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka reaguar ndaj situatës së krijuar pas zgjedhjeve dhe zhvillimeve të fundit në skenën politike të vendit duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për sjellje që thellojnë përçarjen dhe minojnë proceset demokratike.

Në një analizë të tij, Krasniqi ka renditur disa veprime të cilat, sipas tij, dëshmojnë se Kurti nuk po kërkon bashkëpunim politik, por vetëm konsolidimin e pushtetit personal.

“Fushata zgjedhore e ndërtuar mbi gjuhë përçarëse dhe nxitje të urrejtjes; fjalim i ‘fitores’ që synonte të thellojë ndasitë; obstruksione të njëpasnjëshme për të bllokuar konstituivin e Kuvendit; letra denigruese drejtuar partive të tjera të maskuara si përpjekje për shumicë; manovra të fshehta për të joshur deputetë nga subjektet e tjera – dhe kulmi, seanca për zgjedhjen e qeverisë pa marrëveshje paraprake e pa prezantuar kabinetin,” ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit, e gjithë kjo qasje tregon qartë se qëllimi i Kurtit nuk është bashkëqeverisja, por ruajtja e kontrollit të plotë mbi pushtetin.

“Thelbi i gjithë këtij rrugëtimi politik është i qartë: Kurti nuk po kërkon partnerë për bashkëqeverisje. Ai synon të mbajë tërë pushtetin për vete, ndërsa të tjerët i shikon vetëm si numra që duhet t’ia plotësojnë shumicën që i mungon,” ka përfunduar Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP