Krasniqi: Kosova ka nevojë për stabilitet dhe njohje reciproke me Serbinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar sot me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

Përmes një deklarate publike, Krasniqi bëri të ditur se në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon duke ritheksuar përkushtimin e PDK-së për bashkëpunim politik, funksionim të institucioneve dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë,” u shpreh ai.

Krasniqi theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe përpjekjet për integrim ndërkombëtar. Ai shtoi se në takim është diskutuar edhe për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër duke e cilësuar rolin e SHBA-së si të pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara mbeten aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre,” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/


Go to TOP