Krasniqi: 16-18 vjeç, gjenerata e harruar mes skemave sociale

Opinionistja Naza Krasniqi ka ngritur shqetësimin për përjashtimin e të rinjve të moshës 16-18 vjeç nga skemat aktuale të mbështetjes financiare në Kosovë duke i cilësuar ata si “kategori fantazmë” në politikat sociale.

Sipas saj, ndonëse janë ndarë nga 100 euro për kategori të ndryshme si fëmijët, studentët dhe pensionistët, nxënësit e shkollave të mesme kanë mbetur jashtë çdo përfitimi. “Deri në moshën 16 vjeç përfiton si fëmijë, mbi 18 si student, por nëse je në shkollë të mesme – nuk je askund”, thekson ajo.

Krasniqi vë në pah se kjo grupmoshë përballet me sfida të shumta: nuk kanë të ardhura të qëndrueshme, janë ende në proces arsimimi dhe shpesh nuk kanë qasje të lehtë në tregun e punës apo në bursa. Sipas saj, pikërisht në këtë fazë jetike, mbështetja institucionale është më e nevojshme se kurrë.

Ajo gjithashtu ngre pyetjen nëse këta të rinj po injorohen nga politikat publike deri në momentin kur bëhen votues aktivë duke mbetur ndërkohë jashtë çdo skeme konkrete përkrahjeje.

Ky reagim hap debat për përfshirjen më të gjerë të të rinjve në politikat sociale dhe nevojën për rishikim të kritereve aktuale, në mënyrë që asnjë kategori të mos mbetet e përjashtuar. /Kosova.info/


Go to TOP