Kraki: PZAP ka në dorë çlirimin e serbëve të Kosovës nga bandat e Vuçiqit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Neziri Kraki, ka deklaruar se fati i Listës Serbe si parti dhe, siç e quan ai, “çlirimi i serbëve të Kosovës nga bandat e Vuçiqit” është në duart e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të përbërë nga tre gjyqtarë të zgjedhur me short.

Sipas tij, edhe pa Listën Serbe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 12 parti dhe nisma politike nga komuniteti serb për zgjedhjet lokale, gjë që garanton pluralizmin politik brenda këtij omuniteti.

“Me Listën Serbe në garë, si parti-bandë nën drejtimin e Radojçiqit, vazhdohet pengmarrja e serbëve të Kosovës dhe lufta hibride kundër shtetit të Kosovës. Luftë hibride pjesë e së cilës pardje dhe sot u bë edhe opozita jonë në sallën e Kuvendit,” ka thënë Kraki.

Deputeti i VV-së theksoi se secilit individ i vjen njëherë në jetë shansi për t’u mbajtur mend për mirë ose për keq duke shpresuar që vendimmarrësit e PZAP-it të mos rreshtohen gabimisht.

“Favori më i madh që mund t’iu bëhet serbëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës është mundësimi i pluralizmit politik, që është parakusht për zgjedhje të lira të secilit qytetar. Serbët e Kosovës janë të Kosovës,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP