Kraki: Opozita nuk e ka pranuar humbjen, LDK po zëvendëson rugovizmin me klientelizëm

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar ashpër ndaj opozitës pas zhvillimeve të fundit në Kuvend duke e akuzuar atë për mospranim të humbjes në zgjedhjet e fundit dhe për përdorim të “metodave të bandave” për të pamundësuar funksionimin institucional.

“Sonte u konfirmua që opozita nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e fundit. Prandaj u dhunua me kaq lehtësi rendi kushtetues,” ka shkruar Kraki.

Ai ka kritikuar veçanërisht Lidhjen Demokratike të Kosovës duke e cilësuar si të paaftë për t’u çliruar nga “bandat politike” dhe duke e akuzuar për zëvendësimin e institucionalizmit rugovist me “klientelizmin hashimist”.

“LDK e rinovuar me mendësi arkaike dhe me skuthizmin si sjellje politike, i tregoi Kosovës mbarë se institucionalizmin rugovist e ka zëvendësuar me klientelizmin hashimist,” tha Kraki.

Në anën tjetër, ai tha se kampi i tij politik nuk vepron përmes shantazhit apo pazareve politike, por në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

“Me neve nuk funksionon as shantazhi i cili është kultivu me vite në këtë vendin e vakive politike, ku me 2 deputetë njëri merrte 5 ministri dhe me 7% tjetri bëhej kryeministër,” shtoi ai.

Sipas Krakit, Kosova ka nevojë për parti që respektojnë proporcionin e votës dhe jo dëshirat e parapolitikës duke theksuar se rruga e ndërtimit të shtetit dhe demokracisë është hapur që nga viti 2021 dhe nuk i përshtatet më “bandave” e as “patericave të tyre politike”. /Kosova.info/


Go to TOP