KQZ publikon hartën e raundit të dytë të zgjedhjeve: 1.3 milionë qytetarë me të drejtë vote në 18 komuna
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Ekezi, ka bërë publike hartën e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që do të zhvillohet të dielën.
Sipas Ekezit, procesi zgjedhor do të organizohet në gjithsej 525 Qendra të Votimit, me 1,648 vendvotime në total. Nga to, 507 qendra me 1,628 vendvotime janë të destinuara për votimin e rregullt, ndërsa 18 qendra – nga një për secilën komunë ku mbahet balotazhi – me 20 vendvotime do të shërbejnë për votimin me kusht.
Në këto 18 komuna, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1,316,672. KQZ ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një proces të qetë, të sigurt dhe transparent zgjedhor.
Balotazhi do të përcaktojë fituesit e garës për kryetar në komunat ku asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme të votave në raundin e parë. /Kosova.info/
