KOSTT hap konkurs për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv

Bordi i Drejtorëve i KOSTT-it ka miratuar sot një vendim për shpalljen e konkursit publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Konkursi është i hapur nga 25 nëntori deri më 15 dhjetor 2025, ndërsa pozita ofrohet me mandat katërvjeçar dhe me orar të plotë pune.

Kryeshefi i ardhshëm do të udhëheqë kompaninë në realizimin e objektivave strategjike dhe do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj Bordit të Drejtorëve. Ai pritet të menaxhojë operimin e përgjithshëm të sistemit të transmisionit, të sigurojë funksionim të qëndrueshëm teknik e financiar dhe të përfaqësojë KOSTT-in para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Kandidati duhet të ketë së paku shtatë vite përvojë në pozita udhëheqëse, preferohet përvoja në sektorin e energjisë, si dhe diplomë universitare, ndërsa niveli Master ose Doktoraturë konsiderohet përparësi. Nga aplikuesit kërkohet njohje shumë e mirë e gjuhës angleze dhe aftësi të dëshmuara menaxhuese.

Aplikimi bëhet vetëm në formë elektronike përmes ueb-faqes zyrtare të KOSTT-it, ku kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara si dëshmitë e përvojës, kualifikimet, certifikatën mbi dënimet penale dhe deklaratën nën betim për plotësimin e kritereve ligjore.

KOSTT thekson se pas përfundimit të afatit do të bëhet vlerësimi formal dhe intervistimi i kandidatëve, ndërsa kompania e mban të drejtën e listës së shkurtër. Në njoftim rikujtohet se të gjitha aplikacionet pas datës 15 dhjetor, ora 23:59, nuk do të pranohen.

Kompania fton të gjithë kandidatët e interesuar, përfshirë gratë, të rinjtë dhe komunitetet, të aplikojnë për këtë pozitë.

Go to TOP