Kosovë-Turqi, negociata për sigurime shoqërore

Përgjatë tri ditëve të fundit, delegacioni nga Kosova kryesuar nga zëvendësministri Avni Zogiani dhe delegacioni turk, kryesuar nga zëvendësministri për Punë dhe Sigurime Shoqërore, Adnan Ertem, përcaktuan pikat kryesore për finalizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes dy vendeve.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kjo marrëveshje do t’u sigurojë qytetarëve të Kosovës dhe Turqisë të drejtën për pensione bazike, kontributpaguese, familjare dhe invalidore të punës në vendin ku ata jetojnë. Përveç kësaj, marrëveshja parashikon edhe të drejtën për eksportimin e pensioneve për qytetarët që jetojnë në të dyja vendet.

“Takimet dypalëshe u finalizuan me nënshkrimin e marrëveshjes në parim, duke shënuar kështu përfundimin e fazës së parë të negociatave. Ndërsa, në muajt në vijim pritet që në Turqi të zhvillohet edhe faza e dytë e negociatave”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP