​Një fëmijë dërgohet në QKUK, Spitali i Pejës jep detaje për aksidentin në Shushicë

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje për gjendjen e personave të lënduar në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi të hënën në fshatin Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona.

Sipas njoftimit të spitalit, në Shërbimin e Emergjencës fillimisht është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte pësuar politraumë. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, është konstatuar vdekja e saj.

Më vonë në Emergjencë janë pranuar edhe katër persona të tjerë të lënduar nga i njëjti aksident.

Një fëmijë, i cili ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën kujdesin e ekipit të Anestezionit për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë për shkak të frakturës së femurit.

Dy të lënduarit e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve mjekësore, janë liruar për trajtim ambulantor, pasi kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë. /Kosova.info/

Go to TOP