Kosova rreshtohet krah aleatëve, në mbështetje të paqes
Integrimi i oficerëve të parë ndërlidhës të Forcës së Sigurisë së Kosovës brenda stafit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës në fushën e sigurisë dhe paqes. Forca e Sigurisë ka angazhuar personel të trajnuar dhe të përgatitur profesionalisht për detyra operacionale, në bashkërendim me forcat partnere ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
E trajnuar sipas standardeve më të larta ushtarake dhe e dëshmuar në profesionalizëm, Forca e Sigurisë së Kosovës po merr rol aktiv në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gazë, duke konfirmuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në paqe dhe siguri globale. Në kuadër të këtij misioni, FSK-ja ka caktuar personel të përgatitur profesionalisht dhe të trajnuar për t’i përmbushur detyrat operative në bashkërendim me forcat partnere ndërkombëtare, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të këtij angazhimi, oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, majori Gentrit Idrizi dhe majori Labinot Lala, së fundi janë emëruar si oficerë ndërlidhës në strukturat e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën.
Ky hap, nga ata që merren me çështje të sigurisë, po vlerësohet si tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, vlerëson se ky zhvillim konfirmon forcimin e rolit të FSK-së në bashkëpunimin ndërkombëtar e global.
“Një tregues i seriozitetit dhe pranueshmërisë së performancës së FSK-së. FSK shumë serioze dhe e përgatitur për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse”, tha ai.
Edhe njohës të tjerë të sigurisë vënë në pah si arritje e rëndësishme për përfaqësimin e Kosovës krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në një, kjo do të thotë se Republika e Kosovës nuk është më importuese e sigurisë dhe është eksportuese e saj, dhe, në dy, është tepër me rëndësi se Kosova po tregon stabilitet sigurie”, thotë Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
Pjesëmarrja në misione stabilizuese jashtë vendit jo vetëm që forcon bashkëpunimin me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht dëshmon edhe ngritjen profesionale dhe gatishmërinë operative të FSK-së për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global.
