Kryeprokurori Gashi prezanton prioritetet e 100 ditëve të para: fokus në korrupsion, krim të organizuar dhe sigurinë e qytetarëve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë të kolegjiumit me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive të vendit, ku ka prezantuar prioritetet kryesore të mandatit të tij në 100 ditët e para.

Në takim, ku morën pjesë edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe partnerë ndërkombëtarë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Programi INL i Ambasadës së SHBA-së, Gashi kërkoi angazhim të shtuar institucional në disa fusha prioritare.

Ndër objektivat kryesore u theksuan:

  • zhvillimi i hetimeve financiare krahas hetimeve penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave;
  • luftimi i armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve;
  • mbrojtja e pronës së qytetarëve;
  • garantimi i sigurisë ekonomike dhe juridike për qytetarët dhe bizneset;
  • trajtimi më efikas i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e viktimave;
  • ruajtja e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale;
  • ndjekja penale më rigoroze ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik.

Gashi ka paralajmëruar edhe krijimin e mekanizmave të rinj mbikëqyrës brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim ngritjen e cilësisë së punës, përfshirë analizimin e aktakuzave të kthyera nga gjykatat, aktgjykimeve liruese dhe çështjeve procedurale.

Ai ka bërë të ditur se do të krijohet edhe një mekanizëm i brendshëm për mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e padrejta gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe do të forcohet komunikimi institucional dhe respektimi i vijës hierarkike.

Kryeprokurori Gashi u ka kërkuar prokurorive të shkallës së parë që brenda një afati të arsyeshëm të paraqesin plane konkrete për trajtimin e këtyre prioriteteve, në përputhje me kompetencat e tyre.

Gjatë takimit, kryeprokurorët raportuan edhe për gjendjen e lëndëve të vjetra, efikasitetin në trajtimin e rasteve, çështjet me interes të lartë publik, sfidat institucionale dhe zbatimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Në përmbyllje, Zejnulla Gashi garantoi mbështetjen institucionale për të gjithë prokurorët dhe theksoi se synimi kryesor mbetet luftimi i kriminalitetit dhe forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP