Kosova promovon trashëgiminë kulturore dhe fuqizimin e të rinjve në Expo Osaka 2025

Në kuadër të aktiviteteve zyrtare për promovimin e rinisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës në Expo Osaka 2025, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Vedat Jashari, së bashku me z. Andi Emini nga OJQ PEN, mbajtën një punëtori mbi programin inovativ UPSHIFT – një nismë me origjinë nga Kosova që sot zbatohet në mbi 56 vende të botës. Ky program synon fuqizimin e të rinjve si agjentë të ndryshimit, me fokus të veçantë tek grupet e margjinalizuara dhe përfshirja sociale.

Në vijim të prezencës së Kosovës në këtë ekspozitë ndërkombëtare, u mbajt edhe prezantimi “Trashëgimia Tekstile dhe Arti i Gajtanit”. Drejtoresha e Muzeut të Mitrovicës, znj. Nora Prekazi, dhe artezanja znj. Florina Vula paraqitën për publikun japonez veshje tradicionale dhe demonstruan teknikat e qëndisjes së jelekut duke theksuar rolin simbolik të gajtanit në kulturën shqiptare si pjesë e identitetit dhe trashëgimisë sonë kolektive.

Të gjitha aktivitetet janë zhvilluar nën udhëheqjen e Komisionarit të Përgjithshëm të Kosovës për Expo Osaka 2025, z. Arbër Mehmeti dhe znj. Adea Koçmezi, diplomate e angazhuar në Pavijonin e Kosovës. Organizimi është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me MKRS-në dhe institucionet përgjegjëse duke promovuar një imazh dinjitoz të Kosovës përmes trashëgimisë kulturore, inovacionit dhe përkushtimit ndaj përfshirjes sociale.

Pjesëmarrja e Kosovës në Expo Osaka 2025 dëshmon përkushtimin e saj si një shtet me trashëgimi të pasur kulturore dhe vizion të qartë për të ardhmen. /Kosova.info/


Go to TOP