Kosova e mbyll turneun në Prishtinë me setin e parë të fituar në këtë edicion, rrugëtimi vazhdon në Mal të Zi
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve e ka mbyllur turneun e zhvilluar në Prishtinë, në kuadër të CEV Volleyball European League, me një paraqitje shumë të mirë ndaj Izraelit, pavarësisht humbjes 1:3.
Djemtë tanë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme duke fituar setin e parë me rezultat 26:24, që njëherësh ishte edhe seti i parë i fituar nga Kombëtarja e Kosovës në këtë edicion të CEV Volleyball European League.
Izraeli reagoi në vazhdim dhe fitoi tre setet pasues me rezultat 25:18, 25:21 dhe 25:16, për ta mbyllur takimin me rezultat 3:1.
Përtej rezultatit, ky set i fituar dhe paraqitjet e treguara gjatë gjithë kampanjës dëshmojnë për rritjen e vazhdueshme të ekipit.
Në disa ndeshje, përfshirë edhe atë ndaj Izraelit, por edhe në përballjet e tjera, me pak më shumë fat dhe qetësi në momentet vendimtare, Kosova mund të kishte marrë më shumë nga sa tregojnë rezultatet përfundimtare.
Puna e vazhdueshme e volejbollistëve, përkushtimi i stafit teknik dhe angazhimi i Federatës së Volejbollit të Kosovës po reflektohen gjithnjë e më shumë në parket, ku Kombëtarja po bëhet më konkurruese dhe po fiton përvojë të vlefshme për të ardhmen.
Rrugëtimi në CEV Volleyball European League vazhdon.
Nga data 25 qershor, Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku do të zhvillohet turneu i fundit i këtij edicioni.
Seti i parë i fituar në këtë kampanjë është një shpërblim për punën e bërë deri më tani, por njëkohësisht edhe një motivim shtesë për të vazhduar me të njëjtin ritëm, me bindjen se rezultatet edhe më të mëdha janë çështje kohe. /Kosova.info/
