Rice qetëson Anglinë para duelit me Ganën: Jam gati për të luajtur

Mesfushori i Anglisë, Declan Rice, ka larguar çdo dyshim për gjendjen e tij fizike para ndeshjes së rëndësishme ndaj Ganës në Kupën e Botës 2026.

Ylli i Arsenalit u zëvendësua në pjesën e dytë të fitores së Anglisë ndaj Kroacisë, pasi ndjeu shqetësime në pjesën e pasme të kofshës. Kjo ngriti shqetësime te tifozët anglezë, sidomos duke pasur parasysh se edhe Bukayo Saka po vazhdon të menaxhojë një problem në tendinën e Akilit.

Megjithatë, para përballjes së së martës mbrëma me Ganën, Rice ka konfirmuar se është plotësisht i gatshëm për lojë.

“Jam gati. Ndihem mirë dhe mezi pres të luaj. Mendoj se ishte një vendim i zgjuar të zëvendësohesha. Kisha ndier disa shqetësime nervore në kofshë, një problem që e kam menaxhuar për një kohë të gjatë edhe te Arsenali”, ka thënë Rice.

Mesfushori anglez theksoi se stafi teknik veproi me kujdes për të shmangur një dëmtim më serioz.

“Ishte një vendim i mençur. Në 20 minutat e fundit të ndeshjeve zakonisht ndodhin shumica e lëndimeve, sepse trupi është në limitet e tij. Ditët e fundit jam ndier shumë mirë”, shtoi ai.

Rice foli edhe për bashkëlojtarin e tij, Bukayo Saka, duke u shprehur i bindur se sulmuesi do të ketë ndikim të madh në turne sapo të rikuperohet plotësisht.

“Pa dyshim. Po e menaxhojmë në mënyrën e duhur. Ai ka luajtur shumë futboll dhe problemi me Akilin kërkon kujdes. Nuk dëshiron ta rrezikosh duke e aktivizuar para kohe”, u shpreh Rice.

Anglia konsiderohet favorite në përballjen ndaj Ganës dhe me Rice të gatshëm për lojë, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel synon të sigurojë kualifikimin në fazën e ardhshme të Botërorit 2026.

Go to TOP