Alves del në mbrojtje të Ronaldos: Besimi te Cristiano nuk lëkundet
Ish-mbrojtësi i Portugalisë, Bruno Alves, ka dalë në mbrojtje të kapitenit portugez Cristiano Ronaldo, i cili është vënë në qendër të kritikave pas paraqitjes së tij në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Portugalia e nisi aventurën në Botëror me një barazim 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në kuadër të Grupit K, ndërsa Ronaldo nuk arriti të shfrytëzonte disa raste të mira shënimi, gjë që solli reagime të shumta nga tifozët dhe analistët.
Sulmuesi 41-vjeçar po merr pjesë në Kupën e tij të gjashtë të Botës, duke vendosur një rekord të ri në historinë e futbollit, por forma e tij në ndeshjen hapëse ka qenë objekt diskutimi.
Megjithatë, Bruno Alves, ish-bashkëlojtar i Ronaldos dhe pjesë e skuadrës që fitoi UEFA Euro 2016, ka refuzuar kritikat ndaj yllit portugez.
Në një reagim në rrjetet sociale, Alves shprehu mbështetjen e tij të plotë për Ronaldon.
“Respekt, idhujt janë të përjetshëm. Shumë njerëz flasin për futbollin pa bërë asgjë në futboll. Kritikat duhet të vijnë vetëm nga ata që kanë bërë më shumë. Cristiano, ne besojmë te ti pavarësisht gjithçkaje”, ka shkruar Alves.
Portugalia do të synojë fitoren në ndeshjet e ardhshme të Grupit K, ndërsa Ronaldo mbetet figura kryesore e kombëtares në përpjekjet për të avancuar në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.
