Zyrtare: Izrael-Kosovë luhet në Hungari

Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen si mysafire ndaj Izraelit në Hungari, pasi federata izraelite vazhdon të organizojë takimet në terrene neutrale për shkak të situatës së sigurisë në vend.

UEFA ka konfirmuar se sfida mes Izraelit dhe Kosovës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, do të luhet më 1 tetor 2026 në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen të Hungarisë.

Izraeli prej kohësh nuk i zhvillon ndeshjet ndërkombëtare në territorin e vet, duke zgjedhur stadiume neutrale për përballjet si vendas. Për duelin ndaj “Dardanëve”, zgjedhja ka rënë mbi stadiumin “Nagyerdei”, i cili ka pritur edhe ndeshje të tjera ndërkombëtare të kombëtares izraelite.

Ndërkohë, Kosova do të rikthehet në fushën e lojës në muajin shtator, kur e pret një kalendar i ngjeshur me katër ndeshje brenda vetëm 14 ditësh.

Në Ligën B të Ligës së Kombeve, ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi i Kosovës bën pjesë në grupin ku garojnë edhe Austria, Irlanda dhe Izraeli, me synimin për të siguruar një paraqitje sa më të suksesshme në këtë edicion të garës.


Go to TOP