Kosova dhe BE-ja me marrëveshje për programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”
Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate ka bërë të ditur se buxheti total i këtij programi për periudhën 2021-2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të të cilit mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.
“Ky program i BE-së, që njihet me shkurtesën CERV (“Citizens, Equality, Rights and Value”), synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Tutje, aty thuhet se përfitues të këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.
